Drejtori i KIPRED, Lulzim Peci, në “Click” të RTV21, deklaroi se ”nuk jemi të vetëdijshëm për çfarë kemi fituar realisht si vend, dhe se perceptimi se bota na ka borxh është i gabuar”. Ai shtoi se ne i kemi borxh Perëndimit për pavarësinë e Kosovës, ndërsa përplasja politike në vend ka marrë dimensione të pazakonta:
Tutje Peci, vlerëson se politika në Kosovë është futur në një fazë të “bigjozit”, ku edhe Vjosa Osmani, e cila më parë kritikonte tani i është bashkuar Albin Kurtit në këtë lojë politike.
“Nuk jemi të vetëdijshëm se çfarë kemi fituar. Mendojmë se bota na ka borxh diçka, ndërkohë që ne i kemi borxh Perëndimit për pavarësinë e Kosovës. Ata asnjë pikë borxh nuk kanë për ne. Jemi në një fazë kur Vjosa Osmani thoshte në parlament se e kishte bërë shtetin ‘bigjoz’ për Albinin, dhe tani kjo është pranuar edhe nga Albini. Pikërisht ‘bigjozit’ ia ka bërë këtë arritje, që në parametra politikë normalisht ka qenë e paimagjinueshme, sepse ‘bigjozit’ e kanë fituar Kosovën,” tha Peci.
Peci: “Republika e tretë” e Kurtit një iluzion është ofendim
Drejtori i KIPRED, Lulzim Peci, në ”Click” të RTV21 ka kritikuar sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe institucioneve që nuk kontrollohen nga Vetëvendosje. Ai i konsideron këto veprime si përpjekje për kapjen e shtetit në formë tjetër.
“Goditja ndaj Gjykatës Kushtetuese, ndaj sistemit të gjyqësorit dhe ndaj institucioneve që nuk kontrollohen nga VV është përpjekje për kapje të shtetit në një formë tjetër,” tha Peci.
Lidhur me këtë Peci e cilëson si ofendim konceptin e “Republikës së tretë” që sipas tij po promovohet nga Kurti.
“Republika e tretë është republika imagjinare e Kurtit, ku ai pretendon që ka gjithçka nën kontroll, edhe pse i ka rënë ndërmend tash gati 20 vite pas shpalljes së pavarësisë t’i tregojë Kosovës se çfarë shteti jemi. Kjo është ofendim,” tha Peci.
“Do të paguajmë faturën”, Peci flet për perceptimin që kanë ndërkombëtarët ndaj Kosovës
Drejtori i KIPRED, Lulzim Peci, në “Click” të RTV21 ka folur për perceptimin që kanë ndërkombëtarët ndaj Kosovës. Ai theksoi se po krijohet një imazh i zbatimit selektiv të ligjit, që po ndikon negativisht në politikën e jashtme dhe do të sjellë pasoja serioze për vendin në të ardhmen.
“Po ndërtohet pershtypja e zbatimit selektiv të ligjit, në një formë zbatohen rregullat për shqiptarët dhe në një tjetër për serbët. Këto janë gabimet më të mëdha që Kosova i ka bërë në politikën e jashtme që nga themelimi si shtet. Ne do të paguajmë faturën për këtë punë, mos të rrejmë. Ka me ardhë një moment që nuk është larg kur do të na thonë se as Asociacioni që kemi propozuar nuk kryen punë sepse keni kapacitete të dobëta,” tha Peci./21Media