Dy ditë pasi njoftoi dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi paralajmëroi se të hënën (17 nëntor) do të mbahet konventa e partisë për zgjedhjen e kryetarit të ri.
Por me këtë vendim nuk po duket se pajtohet Enver Hoxhaj.
Ky i fundit ka kërkuar që konventa të shtyhet deri të dielën e ardhshme, duke thënë se një parti serioze nuk mund të mbajë një tubim politik dhe përmbajtësor “në një kohë kaq të shkurtër”.
Në ditën e dorëheqjes, Krasniqi u pyet për kandidatin potencial që mund ta marrë drejtimin e partisë. Mes emrave të përmendur ishte edhe ai i Bedri Hamzës – për të cilin ai nuk e fshehu preferencën.
E pikërisht këtë deklarim, Hoxhaj e ka konsideruar problematik, duke lënë të kuptohet se mund të ketë ‘skema të parapërgatitura’.
“Dorëheqja e kryetarit, e shoqëruar me preferenca për pasuesin, krijon përshtypjen e skemave të sajuara e të paragjykuara, të cilat nuk e çojnë partinë përpara”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook, përcjell Insajderi.
Sipas Hoxhajt, PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë.
Theksojmë se Memli Krasniqi ka deklaruar në “Rubikon” se Enver Hoxhaj është i mirëpritur të rikandidojë për kryetar të PDK-së, nëse ende e ka ambicien për ta udhëhequr partinë.
Ai kujtoi se në vitin 2021 kishte dëshiruar të garonin bashkë, por Hoxhaj atëherë ishte tërhequr nga kandidimi./Insajderi

