Pas reagimeve të shumta në publik lidhur me detyrimin e pensionistëve për t’u paraqitur çdo gjashtë muaj në zyrat e pensioneve për verifikim, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ka dalë me një sqarim zyrtar.
Në njoftim, Ministria ka bërë të ditur se pensionistët mbi moshën 80 vjeçare nuk kanë nevojë të shkojnë personalisht për t’u verifikuar, pasi mund ta realizojnë këtë proces nga shtëpia përmes ekipeve mobile të ministrisë.
Sipas sqarimit, kërkesa për verifikim mund të bëhet me telefon apo e-mail, dhe në rastet e justifikuara, stafi i MFPT-së shkon në adresën e pensionistit për ta kryer procedurën.
“Kërkesën mund ta bëjë vetë pensionisti ose ndonjë nga familjarët, mjafton të ofrohen të dhënat e sakta dhe arsyet e kërkesës. Ekipet mobile punojnë shtatë ditë në javë për të siguruar që të gjitha familjet të vizitohen në kohë dhe në mënyrë të rregullt,” thuhet në komunikatë.
Ministria ka theksuar se ky proces është i domosdoshëm për të parandaluar abuzimet dhe për të siguruar që pagesat e pensioneve t’u shpërndahen vetëm përfituesve aktivë, por njëkohësisht ka kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim nga qytetarët.
Në fund, MFPT ka publikuar edhe numrat kontaktues për gjashtë qytete të Kosovës, ku familjarët mund të paraqesin kërkesat për verifikim në distancë, në mënyrë që pensionistët në moshë të shtyrë ose me probleme shëndetësore të mos detyrohen të udhëtojnë deri në zyrat komunale.