Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër, me të cilin e obligon kryeministrin Albin Kurti, që të paraqitet për dëshmi pranë Prokurorisë Speciale më 4 mars, në orën 10:00.
Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi. Kurti do të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit, lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K. që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi.
Ajo ka bërë me dije se kanë pranuar edhe përgjigjen e Zyrës së Kurtit për këtë urdhër.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 28.02.2025, përmes emalit ka pranuar përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit, lidhur me Urdhrin e lartë – theksuar të gjykatës”, thuhet në përgjigje.
Në përgjigjen e publikuar nga zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ZKM ka kërkuar nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit, duke thënë se duhet të merret parasysh “agjenda e tij është e ngjeshur”.
Aty thuhet se Kurti ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e ti, teksa drejtohen akuza në drejtim të Prokurorisë.
“…intervistimi nga Prokuroria mund të bëhej që në muajin dhjetor të vitit 2024, kur është bërë ftesa. Megjithatë, Prokuroria ka zgjedhur që, në vend të efikasitetit të humb kohë në dëm të përfundimit të procedurës së hetimit, të prolongojë çdo veprim e të mbetet pa përfundime të rëndësishme për publikun, vetëm për të arritur projeksionet politike, të dëmshme e të pafalshme për një sistem të pavarur të drejtësisë. Duke marrë parasysh sa më sipër, Zyra e Kryeministrit thekson edhe njëherë që Kryeministri ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e tij. Kërkesa e tij që kjo të ndodhë në ambientet e Zyrës së Kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe nuk mund të interpretohet si shmangie nga drejtësia. Në dritë të kësaj, me respekt kërkojmë nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në përgjigje.
ZKM tutje ka thënë se ka dyshime të forta se kjo thirrje ka motiv politik, e jo ligjor.
“Ka dyshime të forta që kjo thirrje nga Prokuroria nuk ka motiv ligjor, por politik. Prokuroria për vite me radhë ka dështuar në ndjekjen e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë dhe në vend të adresimit të këtyre problemeve, po tenton të krijojë një perceptim të rrejshëm kundër Kryeministrit. Një gjë e tillë është motivuar edhe nga qëndrimi publik i Kryeministrit kundër propozimit për emërim të z. Blerim Isufaj si kryeprokuror i shtetit. Rrjedhimisht, nuk mund të mos shohim çdo veprim të Prokurorisë Speciale si politikisht të motivuar e publikisht të paarsyetuar. Andaj, për qëllim të kthimit të besimit të publikut në institucionet e pavarura e të paanshme të drejtësisë, ashtu si dëshiron ta shohë çdo qytetar i Republikës së Kosovës e edhe Kryeministri Kurti, Gjykata e nderuar duhet të shqyrtojë çdo detaj të ndërlidhur me ftesën e Prokurorisë dhe të veprojë duke u bazuar në rrethanat e rastit, qysh e kërkon legjislacioni në fuqi dhe gjykimi i paanshëm i një gjyqtari të drejtë. Prandaj, për të shmangur manipulimet politike dhe spekulimet e panevojshme, Kryeministri ka kërkuar një format të qartë dhe të drejtpërdrejtë të bashkëpunimit”, thuhet tutje.
Për këtë thuhet se ka precedentë edhe në Kosovë, por edhe më gjerë.
“Ka raste të dokumentuara në Kosovë por edhe më gjerë (psh ish kryeministri i Francës Jacques Chirac apo ish Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton), ku zyrtarë të lartë institucionalë janë intervistuar në ambientet e tyre dhe jo në Prokurori. Mohimi i këtij fakti nga Prokuroria nuk e ndryshon realitetin dhe as nuk mund ta ndalë aplikimin e një praktike që ka ekzistuar dhe mund të zbatohet përsëri”, thuhet në shkresë.
Qeveria e Kosovës pranoi ftesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për intervistim të Kurtit më 12 dhjetor. Kryeziu e cilësoi si tentim ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve 2025.
Në thirrjen e Prokurorisë Speciale thuhej se Kryeministri Kurti duhet të paraqitet për intervistim të hënën e 16 dhjetorit në ora 09:30. Mirëpo, ai nuk u paraqit për intervistim. Madje ka kërkuar nga Prokuroria që ta intervistojë në zyrën e tij, e kishte ofruar edhe dy data për këtë.
Kurti, i ftuar në cilësinë e dëshmitarit, do të intervisohet për skandalin me Rezervat Shtetërore dhe se vepra penale për të cilën është ftuar hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Neni 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”./Reporteri.net