Suhareka Express është portal informativ në gjuhën shqipe, i fokusuar në lajmet lokale nga Suhareka dhe rajoni, si dhe në zhvillimet më të rëndësishme nga Kosova dhe më gjerë. Qëllimi i portalit është të informojë publikun në mënyrë të shpejtë, të saktë dhe të besueshme për ngjarjet që ndikojnë në jetën e qytetarëve.

Në Suhareka Express, lexuesit mund të gjejnë lajme dhe informacione nga politika lokale dhe kombëtare, ekonomia, shëndetësia, arsimi, sporti, kultura, teknologjia dhe showbizi. Përmes raportimeve të përditshme, portali synon të pasqyrojë zhvillimet më të fundit dhe temat që janë me interes për komunitetin.

Suhareka Express shërben si një burim i rëndësishëm informimi për qytetarët e Suharekës, për mërgatën shqiptare dhe për të gjithë ata që dëshirojnë të qëndrojnë të informuar për ngjarjet dhe zhvillimet aktuale në Kosovë.

Presidentja e votave të pamjaftueshme: Vjosa OSMANI mes krizës dhe kalkulimeve partiake

Shkruan: Jurist – Lirim Begzati

Roli i Presidentit të Kosovës, në letër, është i qartë: të përfaqësojë unitetin e popullit dhe të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve.

Në rastin e Vjosa Osmanit, problemi nuk ishte vetëm ruajtja e këtij neutraliteti në një skenë të ashpër partiake, por edhe fakti shumë konkret se mungonte shumica e nevojshme parlamentare për ta propozuar dhe zgjedhur sërish.

Kosova është republikë parlamentare: Presidenti zgjidhet në Kuvend, me pragje të larta votash dhe me pasojën që dështimi në zgjedhje mund ta çojë vendin në krizë të re, deri te shpërndarja e Kuvendit dhe zgjedhjet e parakohshme.

Në teori mjafton të kesh një figurë të pranueshme dhe Kushtetutën në krah; në praktikë, pa numra të sigurt në sallë, çdo kandidaturë kthehet në aventurë politike me kosto të lartë për të gjitha palët.

Biografia politike e Osmanit e vështirësoi edhe më shumë këtë rrugë. Ajo u formësua në LDK, u përplas me establishmentin e vjetër, u largua prej saj dhe më pas u afrua me Vetëvendosjen, që e mbështeti për Presidente.

Edhe pasi hoqi dorë nga çdo funksion partiak, në opinion mbeti etiketa “presidentja e dalë nga LVV ja”, jo thjesht Presidente e të gjithëve.

Opozita tradicionale e refuzoi hapur, ndërsa raportet me pushtetin kaluan nga aleanca në tension. Në një Presidencë që, parimisht, duhej të ishte mbi palët, ajo mbeti mes dy zjarreve, pa bazë të qëndrueshme as në qeveri, as në opozitë.

Një element që nuk mund t’i mohohet Vjosa Osmanit është kompetenca dhe përkushtimi i saj personal. Përgjatë mandatit, ajo ka demonstruar njohuri solide, aftësi të mira komunikimi politik dhe angazhim të vazhdueshëm për ta mbrojtur interesin shtetëror të Kosovës, veçanërisht në planin ndërkombëtar.

Për këtë arsye, debati rreth një mandati të dytë nuk lidhet me vënien në dyshim të vullnetit apo seriozitetit të saj në shërbim të vendit, por me kufijtë që vendos vetë arkitektura kushtetuese dhe raportet reale të forcave në Kuvend: rregulla strikte zgjedhjeje, numra të pamjaftueshëm dhe mungesë konsensusi, të cilat objektivisht e bënë shumë të vështirë, në kufi të pamundurës, rizgjedhjen e saj, pavarësisht vlerësimeve pozitive për performancën personale.

Megjithatë, pavarësisht këtyre pengesave politike dhe perceptimeve partiake, nuk mund të injorohet fakti që Vjosa Osmani ka ndërtuar profil të fortë profesional dhe angazhim të qëndrueshëm për Kosovën. Aktiviteti i saj në arenën ndërkombëtare, artikulimi i qartë i interesave shtetërore dhe mbrojtja e pozitës së vendit para partnerëve e kanë konsoliduar imazhin e një presidenteje aktive dhe të vendosur.

Kjo krijon paradoksin: sa më shumë të forcohej profili i saj publik, aq më e vështirë bëhej gjetja e një konsensusi të gjerë politik për një mandat të dytë.

Aktivizmi i lartë ndërkombëtar, vizitat, raportet me diasporën dhe partnerët perëndimorë, e rriti peshën e saj jashtë vendit, por në Kosovë u lexua nga disa qarqe si personalizim i rolit dhe si lëvizje për mandat të dytë ose për një karrierë të re politike. Kjo ushqeu dyshimet e disa partive që, edhe kur nuk ishin kundër saj parimisht, hezitonin të dilnin hapur garant për një rizgjedhje të kontestueshme.

Krahasimi me paraardhësit e bën këtë edhe më të dukshëm. Fatmir Sejdiu u detyrua të largohej pikërisht për të ndarë presidencën nga partia. Atifete Jahjaga u soll si kompromis jopartiak, me profil më neutral. Hashim Thaçi u identifikua me modelin e presidentit të dalë drejtpërdrejt nga maja e partisë. Vjosa Osmani nuk u pa asnjëherë si kompromis i gjerë: jo mjaftueshëm jopartiake për opozitën, jo mjaftueshëm e parashikueshme për pushtetin.

Prandaj, pyetja pse nuk u paraqit sërish si kandidate nuk është teknike, por politike. Ajo nuk u bllokua nga Kushtetuta, por nga realiteti i numrave dhe i mosbesimit midis palëve. Kur Presidenca trajtohet si trofe i shumicës së radhës, kandidatura e një figure të polarizuar e shndërron procesin në instrument presioni politik, jo në mjet uniteti.

Në këtë kuptim, rikandidimi i Vjosa Osmanit u perceptua më shumë si rrezik sesa si zgjidhje: i vështirë për t’u propozuar, i vështirë për t’u mbrojtur dhe i mbingarkuar me rrezikun që të çonte sistemin drejt një tjetër krize.

Në fund, mbetet keqardhja se një kombinim i tillë i rregullave të ngurta kushtetuese, polarizimit partiak dhe mungesës së kulturës së kompromisit e ka shndërruar skenën politike të Kosovës në terren konfliktesh të panevojshme, ku edhe figura me përkushtim real ndaj vendit shndërrohen lehtë në burim krize, në vend që të jenë faktor stabiliteti.

Me te Lexuara

Ky është 28-vjeçari që u plagos me armë në të dy këmbët, sulmuesi ikën me trotinet

Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për një incident...

Keto jane votat per asambleist ne Qytet

Në bazë të rezultateve zyrtare të raportuara nga tre...

Nga Amerika vjen një zë i ri për Suharekën – Kush do t’i japë politikës lokale dinjitet dhe guxim?

🇺🇸 Nga Amerika në Asamblenë Komunale të Suharekës: Mr....

Te Tjera

Kategorite me te Lexuara