Qeqa Krelani “shkund” futbollistët: “Kosova është mbi çdo klub – Zhegrova nuk e tregoi këtë”

Gazetarja sportive Qeqa Krelani ka publikuar një reagim të gjatë e të fuqishëm, ku ka kritikuar hapur fenomenin e mungesës së disa futbollistëve të Kosovës në grumbullimet më të rëndësishme të Kombëtares. Në fokus të saj ka qenë rasti i Edon Zhegrovës, i cili vetëm pak ditë pas transferimit të bujshëm në Juventus, u tërhoq nga lista e Kosovës për dy ndeshjet historike të shtatorit.

“Jam gazetare e Kosovës, jo e Serie A”

Në postimin e saj, Krelani tha se nuk e intereson as sa tituj fiton një lojtar me klubin dhe as sa gola shënon kundër Barcelonës a Realit – për të, e vetmja gjë që ka vlerë është performanca e lojtarëve me fanellën e Kosovës.

> “Aq sa iu interesojke gazetarëve të Argjentinës sa Topa të Artë i fitojke Messi me Barcelonën, aq më intereson mu çka bon Zhegrova te Juventusi, sa gola i shënon Muriqi kundër Barcelonës e Realit, apo sa tituj i fiton Rrahmani me Napolin.
Unë jam ekskluzivisht gazetare e Përfaqësueses së Kosovës. Mu më intereson veç çka bon ti me fanellën e Kosovës”, shkroi ajo.

Messi për Argjentinën – Zhegrova për Kosovën?

Krelani solli si shembull Lionel Messin, të cilin gazetarët argjentinas e kritikuan rëndë për vite me radhë, duke i thënë se nuk ishte “i yni” dhe se nuk vlente sa Maradona, derisa më në fund ai e fitoi Kupën e Botës për Argjentinën. Vetëm atëherë ai u pranua si ikonë kombëtare.

Duke e lidhur me Kosovën, Krelani theksoi:

> “E dojm Kupën e Botës zoteri, jo Topat e Artë. Këtu jemi në Argjentinë, jo në Barcelonë.
Edhe këtu jemi në Kosovë, jo në Itali, jo në Spanjë, as në Turqi. Kosova është mbi çdo klub.”

“Pse u ftua, nëse s’ishte gati?”

Pjesa më e drejtpërdrejtë e reagimit të Krelanit i referohet Edon Zhegrovës. Ajo kujtoi se Alexander Isak, sulmuesi i Suedisë, nënshkroi për Liverpool në të njëjtën ditë kur Zhegrova nënshkroi me Juventusin, por ndryshe nga ky i fundit, Isak erdhi në Prishtinë për të luajtur me Suedinë.

> “Isak vjen me lujt në ‘Fadil Vokrri’ për Suedinë, ndërsa Zhegrova nuk vjen për dy ndeshjet më të rëndësishme të Kosovës. Arsytimi? ‘S’ka lujt 9 muaj, i duhet kohë.’
Atëherë pse u ftua në listë e u tërhoq brenda 24 orëve?! Një ditë para transferimit bojke me qenë në listë, nuk ishte problem mosaktivizimi 9 muaj? Mos boni filma”, thekson Krelani.

Ajo kujtoi se asnjë klub nuk mund t’i ndalojë lojtarët të luajnë për Kombëtaren në datat e FIFA-s, duke shtuar se kjo ishte thjesht çështje dëshire personale.

“Talenti nuk mjafton pa disiplinë”

Megjithëse e pranoi se Zhegrova është lojtari më i talentuar që Kosova ka pasur në 50 vitet e fundit, Krelani nuk i kurseu fjalët për mungesën e tij të disiplinës dhe seriozitetit.

> “Zhegrova është lojtari më i mirë i 50 viteve të fundit të Kosovës, por është lojtari më pa serioz, pa karakter sportiv, pa disiplinë, dhe interesin e klubit e vendos mbi Kosovën.
Skenat me flamurin e Kosovës nëpër Instagram-a janë vetëm filma të Hollywood-it.”

Mesazhi i fundit: Kosova mbi gjithçka

Në fund të reagimit të saj, gazetarja sportive dha një mesazh të qartë dhe të prerë: lojtarët e Kosovës duhet të kërkojnë leje nga klubet për të luajtur për Kombëtaren, jo të kundërtën.

> “Uroj që një ditë lojtarët tanë të kërkojnë leje prej klubeve sepse kanë ndeshje historike për Kosovën. E jo siç ndodh e kundërta – të kërkojnë leje nga Kosova sepse duan të përgatiten për klubet.”

Ky qëndrim i Krelanit është i rëndësishëm sepse vjen në një periudhë kur Kosova ka ndeshjet më të mëdha të historisë së saj dhe prania e lojtarëve kryesorë është vendimtare. Reagimi i saj nuk është vetëm kritikë ndaj Zhegrovës, por një thirrje e fortë që futbollistët të kuptojnë se Kombëtarja është identitet, krenari dhe mbi të gjitha – përgjegjësi ndaj vendit.

Me te Lexuara

Ndiqni rezultatin live për Asamblenë — për çdo kandidat

Në këtë faqe mund të shikoni rezultatet në kohë...

E rëndë së më s’ka, mërgimtari vdes në moshë të re, u martua të dielën, vdiq të shtunen

Pas një sëmundjeje të shkurtër, ka ndërruar jetë në...

Qeveria habit pensionistët – ja shuma e re që i pret sot në llogari!

Pensionistët e Kosovës nga sot do t’i marrin pensionet...

Lirim Mehmetaj, tregon kush do të fitoj në Suharekë

Analisti politik Lirim Mehmetaj ka dhënë mendimin e tij...

Te Tjera

Kategorite me te Lexuara