Analisti politik, Sadri Ramabaja, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizja Vetëvendosje janë më të fokusuar në zgjedhjet lokale të raundit të dytë, duke lënë anash procesin e formimit të qeverisë së re.
Në një intervistë në emisionin Debat Plus në Dukagjin, Ramabaja u shpreh se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme në dhjetor ose në fillim të janarit.
“Kam përshtypjen se interesimi është përqendruar tek zgjedhjet e 9 nëntorit – tek zgjedhjet lokale. Tani është ora kushtetuese deri më 26 tetor, dhe nëse Albin Kurti nuk arrin ta themelojë qeverinë, gjasat janë relativisht të vogla për të dy palët. Kam përshtypjen se po shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme në dhjetor, eventualisht në fillim të janarit”, ka thënë Ramabaja.
Ai ka shtuar se vëmendja e partive politike është zhvendosur tek balotazhet e 9 nëntorit dhe tek koalicionet që po krijohen nëpër komuna, duke paralajmëruar befasi në rezultate.
“Sipas meje, do të kemi befasira në të gjitha nivelet – VV-ja nuk do të kursejë aleancat aty ku mendon se do të fitojë,” ka përfunduar Ramabaja.