Kandidati për kryetar të Komunës së Suharekës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Ardian Shala, ka reaguar me shqetësim pas zjarreve të shumta që përfshinë disa zona të komunës gjatë ditës së sotme.
Sipas tij, situata e krijuar në lagje të fshatrave si Shiroka, Sopijë, Sallagrazhdë, Sllapuzhan, Dubravë dhe vende të tjera, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe ekologjike, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve dhe pronësinë private.
Një ndër rastet më të rënda të evidentuara ishte ai në Sallagrazhdë, ku një shtallë u përfshi nga flakët, duke i shkaktuar dëme të mëdha ekonomike pronarit Musli Aliu. Dr. Shala shprehu keqardhjen e thellë për këtë ngjarje dhe u solidarizua me të gjithë qytetarët e prekur, duke bërë thirrje publike për mbështetje institucionale në mënyrë që dëmet të kompensohen sa më parë dhe në masën më të madhe të mundshme.
Ai shprehu mirënjohje të thellë për ekipin e zjarrfikësve të Komunës së Suharekës, të cilët vepruan me përkushtim dhe profesionalizëm, pavarësisht kushteve të vështira dhe terrenit sfidues. Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe drejtorit të Shërbimit të Zjarrfikësve, z. Vehbi Krasniqi, për menaxhimin dhe koordinimin efektiv të situatës emergjente.
Gjithashtu, Dr. Shala vlerësoi lart angazhimin e vullnetarëve dhe qytetarëve të zakonshëm që iu bashkuan forcave të zjarrfikësve në përballje me flakët, duke treguar një frymë të fortë solidariteti dhe ndjeshmëri ndaj bashkëqytetarëve të tyre.
Në fund të reagimit të tij, ai nënvizoi domosdoshmërinë për vendosjen e hidranteve funksionalë nëpër fshatra dhe në qytet, si një masë parandaluese dhe mjet efektiv për ndërhyrje të shpejtë në raste emergjente. Ai i bëri thirrje institucioneve komunale që të ndërmarrin veprime konkrete në këtë drejtim sa më shpejt të jetë e mundur.
“Me shpresën që nuk do të përballemi më me ngjarje të tilla, ftoj të gjithë qytetarët për kujdes dhe vetëdije më të lartë ndaj natyrës dhe pasurisë së përbashkët”, përfundon mesazhin e tij Dr. Ardian Shala.