Sipas përditësimit të fundit të rezultateve zgjedhore, ka pasur sërish lëvizje në ndarjen e mandateve mes partive parlamentare.
Fillimisht, Partia Demokratike e Kosovës kishte arritur t’ia marrë një mandat Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke u ngjitur në 23 deputetë, ndërsa LDK kishte rënë në 14 ulëse në Kuvend. Megjithatë, me numërimin e votave shtesë dhe përditësimin e të dhënave, situata ka ndryshuar sërish.
Tashmë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur ta rikthejë mandatin e humbur, duke u kthyer në 15 deputetë, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka rënë në 22 ulëse parlamentare.
Këto ndryshime vijnë si rezultat i numërimit të vazhdueshëm të votave me postë, atyre me kusht dhe votave nga diaspora, të cilat po ndikojnë drejtpërdrejt në shpërndarjen finale të mandateve në Kuvendin e Kosovës.


