“S’guxon me u nda prej meje se ta vras familjen”, “E rrahu ditën e Bajramit pse nuk po zgjoheshin fëmijët nga gjumi”-këto janë maltretimet që Astrit Isufi ia kishte bërë bashkëshortes

Në prill të këtij viti, drejtësia kosovare zgjodhi t’i besojë fjalëve të një dhunuesi. Astrit Isufi, i dënuar për dhunë në familje dhe kanosje, u trajtua nga gjykatat si një njeri që “kishte nevojë për rehabilitim”, jo si një rrezik për jetën e të tjerëve. Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me vetëm 154 ditë burgim dhe 800 euro gjobë-një dënim që Gjykata e Apelit madje e zbuti më tej, duke e kthyer në tre muaj burg.

Në arsyetimin e saj, Apeli shkroi se Isufi ishte “mbajtës i familjes” dhe se kishte “shprehur pendim”. Një pendim që sot tingëllon si tallje, pasi vetëm pak muaj më vonë, i njëjti njeri dyshohet se mori jetën e dy vëllezërve të bashkëshortes së tij, para derës së shtëpisë së tyre, në Golluboc të Malishevës.

Astrit Isufi nuk ishte një emër i panjohur për organet e rendit. Në prill të këtij viti, ai dhe një familjar i tij, P.I., ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me vetëm 200 euro gjobë secili, pasi kishin kanosur familjarët e bashkëshortes së tij.

Pas një mosmarrëveshjeje në lokal, Isufi kishte thënë me zë të lartë: Dilni nga lokali se ju vras. Keni afat deri të shkoni në shtëpi, sepse si të shkoni në shtëpi unë do t’ju vras. Ndërsa familjari i tij kishte shtuar:Dilni jashtë se ju vras.

Në vend që të përballej me masa të ashpra për këto kërcënime, drejtësia u mjaftua me një gjobë modeste. Në gjyq, të dy të akuzuarit “premtuan” se nuk do ta përsërisin më. Gjykata u besoi.

Më 30 mars 2025, sipas dosjes së gjykatës, Astrit Isufi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij në shtëpinë e tyre, në ditën e festës së Bajramit.

Sipas aktakuzës, rreth orës 06:00 të mëngjesit, derisa gruaja e tij po përgatiste drekën e festës, Isufi ishte zgjuar dhe e kishte thirrur bashkëshorten për t’i zgjuar fëmijët. Pasi ajo ishte kthyer dhe i kishte treguar se fëmijët nuk po zgjoheshin, ai ishte nervozuar dhe e kishte goditur me shuplaka dhe grushte në fytyrë e trup.

Më vonë gjatë ditës, kur ishte kthyer në shtëpi pas vizitave tek familjarët, ai kishte kërkuar ushqim. Gruaja i kishte treguar se mungonte një produkt ushqimor, çka kishte shkaktuar një tjetër shpërthim dhune nga ana e tij. Sipas dosjes, ai kishte hedhur pjatat në tokë, e kishte kapur bashkëshorten për dore, e kishte tërhequr zvarrë në dhomë dhe e kishte goditur me kabllo elektrike në pjesë të ndryshme të trupit.

Në ato momente, vajza e tyre kishte ndërhyrë duke i kërkuar babait të ndalonte, pasi “po e mbyste nënën”. Megjithatë, sipas aktakuzës, Isufi kishte vazhduar dhunën derisa kishte vlerësuar se e kishte rrahur “mjaftueshëm”, përpara se ta largonte gruan nga shtëpia.

Në të njëjtën ditë, i kishte thënë asaj: Ti nuk guxon me mu nda, se kam me t’i vra familjen, ka me t’i faru krejt.

Një paralajmërim i qartë, i dokumentuar në aktakuzë. Por për drejtësinë kosovare, kjo nuk mjaftoi për ta konsideruar si rrezik për jetën e të tjerëve.

Në vijim gjeni video-përmbledhjen e aktakuzave të përgaditur nga gazetarja, Dijellza Preniqi.

Kujtojmë se më 6 nëntor 2025, rreth orës 11:30 paradite, në fshatin Gollubovc të komunës së Malishevës ndodhi një vrasje e dyfishtë. Dyshohet se Astrit Isufi vrau dy vellezerit e bashkeshortes.
Sipas policisë, ai fillimisht kishte hyrë në shtëpinë e tyre për të marrë bashkëshorten, por pas largimit ishte kthyer dhe kishte qëlluar me armë para derës së shtëpisë, duke lënë të vdekur dy vëllezërit.Pas disa orësh në arrati, Astrit Isufi u arrestua mëngjesin e 7 nëntorit, rreth orës 06:25, në fshatin Pllaqicë.
Gjatë arrestimit ai ishte i plagosur dhe u dërgua për trajtim mjekësor.

Me te Lexuara

Ndiqni rezultatin live për Asamblenë — për çdo kandidat

Në këtë faqe mund të shikoni rezultatet në kohë...

E rëndë së më s’ka, mërgimtari vdes në moshë të re, u martua të dielën, vdiq të shtunen

Pas një sëmundjeje të shkurtër, ka ndërruar jetë në...

Lirim Mehmetaj, tregon kush do të fitoj në Suharekë

Analisti politik Lirim Mehmetaj ka dhënë mendimin e tij...

Humbje e madhe për Suharekën – Ndërron jetë i riu Ylber Trolli

Suhareka është tronditur nga lajmi i hidhur për ndarjen...

Te Tjera

Kategorite me te Lexuara