Spitali “Sheika Fatima” është bërë me laborator të ri.
Këtë e ka bërë të ditur Presidenca përmes një komunikate për media, ku thuhet se ky laborator është donacion i “Khalifa Foundation”.
Sipas komunikatës thuhet se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohje të thellë për popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe, për kontributin e çmuar dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në përmirësimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.
“Bashkëpunimi i Presidencës me Emiratet e Bashkuara: Dje u inaugurua laboratori i ri në spitalin e fëmijëve, donacion i “Khalifa Foundation” Falë angazhimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe përkrahjes së vazhdueshme të donatorit tonë të rregullt, “Khalifa Foundation”, dje në Spitalin “Sheika Fatima”, është inauguruar laboratori i ri. I pajisur me teknologji bashkëkohore, ky laborator do t’i mundësojë këtij institucioni publik shëndetësor të realizojë shumicën e analizave, brenda vetë spitalit pediatrik. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e efikasitetit, cilësisë dhe qasjes së qytetarëve në shërbime më të avancuara laboratorike, me theks të veçantë tek fëmijët, të cilët janë përfituesit më të ndjeshëm dhe më të rëndësishëm të këtyre investimeve. Një pjesë e konsiderueshme e pajisjeve të reja do të përdoret në repartin e neonatologjisë, aty ku kujdesi mjekësor është vendimtar për jetën e bebeve dhe nënave”, thuhet në komunikatë. /21Media
