Policia e Kosovës ka filluar zbatimin e një praktike të re për ndëshkimin e kundërvajtësve në komunikacion, ku gjobat po dërgohen drejtpërdrejt në shtëpi përmes Postës së Kosovës. E para komunë që ka nisur këtë proces është Suhareka, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren.
Sipas njoftimit zyrtar, Stacioni Policor i Suharekës këtë javë ka filluar shpërndarjen e gjobave përmes postës për qytetarët që janë kapur duke kryer kundërvajtje në trafik. Të gjitha rastet janë regjistruar përmes kamerave të sigurisë të vendosura në pika strategjike të qytetit, të cilat monitorohen në kohë reale nga policia.
Kjo nismë ka për qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe uljen e numrit të shkeljeve në rrugët urbane dhe rurale. Autoritetet kanë bërë apel që qytetarët të respektojnë rregullat e qarkullimit, duke paralajmëruar se çdo kundërvajtje, qoftë edhe pa praninë e policisë në vendngjarje, mund të identifikohet përmes sistemit të kamerave.
“Qytetarët janë të detyruar të zbatojnë rregullat e trafikut, me qëllim që së bashku t’i bëjmë rrugët tona më të sigurta dhe më të kalueshme për të gjithë,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas procedurës së re, nëse një kundërvajtje regjistrohet nga kamerat e sigurisë, gjoba përkatëse do të dërgohet automatikisht në adresën e kundërvajtësit, pa qenë nevoja për kontakt të drejtpërdrejtë me patrullat policore.
Ky projekt inovativ, që fillimisht po zbatohet në Suharekë, pritet të shtrihet së shpejti edhe në komunat e tjera të rajonit të Prizrenit.