Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Faik Shatri, ka thënë se në Kosovë po vërehet një tendencë shqetësuese e paraqitjes së infraktit në moshë gjithnjë e më të re.
“Tradicionalisht, infarkti akut i miokardit ka qenë më i shpeshtë në moshën e mesme dhe të shtyrë. Megjithatë, në Kosovë vërehet një tendencë shqetësuese e paraqitjes së infarktit në moshë gjithnjë e më të re, e cila vitet e fundit ka shënuar rritje të dukshme. Sot, një numër i konsiderueshëm i pacientëve paraqiten në grupmoshën 40–55 vjeç, e në raste të caktuara edhe më herët, çka paraqet alarm serioz për shëndetin publik”, ka thënë Shatri.
Sipas Shatrit, sa i përket gjinive, janë meshkujt ata ata që preken më shumë sa i përket infarktit akut.
“Ekzistojnë dallime të qarta gjinore. Burrat preken më shpesh dhe në moshë më të re nga infarkti akut i miokardit. Tek gratë, infarkti zakonisht shfaqet në moshë më të shtyrë, por shpesh me simptoma më pak tipike, gjë që mund të çojë në vonesë të diagnostikimit dhe trajtimit. Për këtë arsye, ndërgjegjësimi te gratë është veçanërisht i rëndësishëm”, ka theksuar ai në një intervistë për IndeksOnline.
Tutje, i pari i Kardiologjisë në QKUK ka bërë bërë me dije faktin se shkaku kryesor i sulmeve kardiake është bllokimi i papritur i arterieve koronare, mbi bazën e aterosklerozës.
“Faktorët kryesorë të rrezikut janë:duhanpirja, hipertensioni arterial, diabeti, yndyrnat e larta në gjak, mbipesha dhe mungesa e aktivitetit fizik, stresi kronik, historia familjare. Fakti që këta faktorë po shfaqen gjithnjë e më herët në jetë shpjegon edhe rritjen e infarktit në moshë të re”, vlerëson ai.
Tutje, kardiologu Shatri përmend disa nga simptomat e infarktit.
“Simptomat standarde të infarktit përfshijnë dhimbje ose ndjesi shtrëngimi në kraharor, e cila mund të zgjasë disa minuta dhe shpesh përhapet në krahun e majtë, shpatull, qafë ose nofull. Kjo dhimbje zakonisht shoqërohet me djersitje, ankth dhe vështirësi në frymëmarrje.”
“Përveç këtyre shenjave tipike, pacientët shpesh neglizhojnë simptoma më pak të theksuara, si: lodhje e papritur dhe e pazakontë, frymëmarrje e vështirësuar pa dhimbje të fortë në kraharor, djersitje e ftohtë, të përziera, marramendje ose ndjenjë të fikëti, dhimbje në shpinë, nofull ose krah, pa dhimbje të qartë në gjoks.”, shton ai.
Sipas, Shatrit këto simptoma janë më të shpeshta te gratë, të moshuarit dhe pacientët me diabet. Çdo dyshim për infarkt kërkon paraqitje të menjëhershme në urgjencë, pa pritur që simptomat të kalojnë vetë.

