Pas lajmit të madh për pranimin e Leon Avdullahut që të përfaqësojë Kosovën, Federata e Futbollit të Kosovës po synon të sjellë në radhët e saj edhe një tjetër talent të madh – Albian Hajdarin.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka udhëtuar në Gjermani ku është takuar me futbollistët kosovarë që aktivizohen te Hoffenheim, mes tyre edhe mbrojtësi Hajdari, i cili së fundmi iu bashkua klubit gjerman nga Lugano.
Takimi është realizuar në bashkëpunim me klubin gjerman, ku Ademi dhe përfaqësuesi i FFK-së, Bajram Shala, u pritën nga drejtuesit e Hoffenheim dhe patën mundësinë të bisedojnë me lojtarët shqiptarë që aktivizohen aty.
Sipas Afrim Osmanajt, njëri nga sponsorët e klubit, në këtë takim u theksua rëndësia e afrimit të talenteve kosovare në Kombëtaren “Dardane”, duke e quajtur këtë një moment të veçantë që shënon edhe “treshen kosovare” në skuadrën gjermane.
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë para ndeshjeve kualifikuese për Botërorin 2026, ku Kosova do të përballet me Zvicrën dhe Suedinë, duke rritur pritshmëritë për një përfaqësim më të fortë e më konkurrues në arenën ndërkombëtare.