Gjilan, 28 korrik 2025 – Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ndaj një kundërvajtësi në komunikacion, shtetas me leje drejtimi të lëshuar nga autoritetet zvicerane, i cili është kapur duke vozitur me një shpejtësi alarmante në rrugët e Kosovës.
Rasti ka ndodhur më 25 korrik 2025 në rrugën nacionale Gjilan – Kamenicë, gjatë kontrolleve të rregullta të trafikut rrugor nga Njësia për Komunikacion Rrugor e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan. Policia ka ndaluar një automjet me targa zvicerane (ZH), i cili, në një zonë ku kufizimi i lejuar i shpejtësisë është 60 km/h, po lëvizte me shpejtësi 113 km/h.
Për këtë shkelje serioze të rregullave të qarkullimit, drejtuesit të automjetit i është shqiptuar një gjobë prej 300 euro dhe njëkohësisht i është vendosur masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjeteve në territorin e Kosovës për një periudhë prej tre muajsh.
Policia njoftoi gjithashtu se, në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane për trajtimin e kundërvajtjeve, rasti do t’u përcillet edhe autoriteteve kompetente në Zvicër, për informim dhe veprim të mëtejshëm në përputhje me legjislacionin e tyre.
Policia e Kosovës apelon për kujdes dhe respektim të rregullave të trafikut, sidomos gjatë sezonit të verës kur frekuentimi i rrugëve rritet ndjeshëm nga bashkatdhetarët tanë. Tejkalimi i shpejtësisë paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe sigurinë publike.