Tollovia energjetike, bizneset të shqetësuara për ngritjen e mundshme të çmimit të rrymës

Një muaj më parë kompanitë për shpërndarje dhe furnizim me rrymë, KOST, KEDS dhe KESCO dërguan në Zyrën e Rregullatorit për Energji një kërkesë për ngritje të çmimit të energjisë elektrike. Shtrenjtimi i energjisë për 15 për qind së fundmi u paralajmërua edhe nga ZRRE-ja.

Ky paralajmërim, përveç qytetarëve, ka shqetësuar edhe prodhuesit, të cilët thonë se shtrenjtimi i rrymës do t’iu shkaktojë humbje, pasi për këtë vit janë nënshkruar shumë kontrata prodhimi pa e planifikuar këtë shtrenjtim të mundshëm.

“…Na sjellë telashe, ngarkesë. Na si kompani 90% të produkteve i kemi për eksport. Çmimet i kemi kalkulu në bazë të rregullave për ofertave. Ka me ndiku në fitimin tonë me një përqindje bukur të madhe. Na duhet me punu jo konkurrent ndaj konkurrenteve. Edhe produktet rrjedhimisht do të shtrenjtohen…”

Energjia elektrike gjithmonë ka shkaktuar probleme për bizneset, thotë ish -kryetari i OEK, Safet Gërxhaliu.

“…një ndër problemet kronike për qytetarët e Kosovës në përgjithësi e sidomos për komunitetin e bizneseve. Kosova e ka humb betejën e furnizimit normal me energji elektrike përballë mafisë ballkanike. Do të jetë një goditje edhe për qytetarët, sektorin privat dhe edhe prodhuesit që do të ketë të pamundur të jetë konkurrues…”, tha Safet Gërxhaliu, ish- kryetari i OEK-ut

Shtrenjtim i rrymës do të shkaktojë një efekt zinxhiror tek të gjitha produktet në treg, dhe shporta e qytetarit do të varfërohet edhe më shumë, paralajmëron kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj.

“…për fat të keq kemi lajme që pritet të ketë rritje të cmimit të rrymës. Kjo për fat të keq do të ketë pasoja në të bërit biznes por edhe në prodhimin e produkteve dhe do të shkoj deri në shportën e konsumatorit. Do ta keqësoj edhe frymën e të bërit biznes në Kosovë…”, tha Dreshaj.

Zyra e Rregullatorit për Energji u ka kërkuar bizneseve me qarkullim vjetor mbi 10 milion euro, të zgjedhin vetë furnizuesit përmes tregut të hapur energjetik. Oda Ekonomike e Kosovës e sheh të nevojshme që bizneseve tu jepet kohë të paktën për një vit, në mënyrë që mos të pësojnë humbje.

Shperndaje:

TE FUNDIT