Pas publikimit të listës së kandidatëve për Asamblenë Komunale nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Suharekë, ka reaguar publikisht Elmaze Bytyçi, asambleiste me katër mandate radhazi në Kuvendin Komunal.
Në një postim të gjatë dhe emocional, Bytyçi shprehet se ndonëse ka shërbyer me përkushtim dhe është mbështetur nga qytetarët për vite me radhë, emri i saj nuk është përfshirë në listën kandiduese, vendim ky që, siç thotë ajo, i është komunikuar pa ndonjë arsye të qartë nga kryesia e degës së LDK-së në Suharekë.
“Ka qenë një nder i jashtëzakonshëm për mua që për katër mandate me radhë të jem pjesë e Asamblesë. Me keqardhje ju njoftoj se kryesia e LDK-së nuk e ka përfshirë emrin tim në listë, për arsye që nuk janë të njohura për mua,” ka shkruar ajo.
Elmaze Bytyçi lë të kuptohet se pas moskandidimit qëndrojnë lëvizje të brendshme dhe kalkulime politike, duke theksuar se fitorja e saj e mundshme u pengonte disa personave brenda partisë.
“Shpresoj që në rikthimin tim të mos i gjej ata kalkulantë që ishin kundër kandidimit tim, sepse fitorja ime ju pengonte.”
Pavarësisht zhgënjimit, Bytyçi thekson se angazhimi i saj politik dhe qytetar nuk përfundon këtu. Ajo ka deklaruar se do të vazhdojë të jetë pranë qytetarëve, dhe ka falënderuar publikisht disa parti politike që i kanë ofruar bashkëpunim dhe përfshirje në listat e tyre zgjedhore.
Reagimi i saj ka ngjallur diskutime në opinionin lokal, duke ngritur pyetje mbi procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në LDK, si dhe mbi vlerësimin e kontributit të figurave të qëndrueshme brenda partisë.