Rasti i vrasjes së dyfishtë në Malishevë ditën e sotme tronditi gjithë vendin.
Të vdekur mbetën dy persona, vëllezër, e dorasi dyshohet të jetë Astrit Isufi, burri i motrës së viktimave. I njëjti nuk është emër i panjohur për organet e drejtësisë në vend.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se i njëjti ishte edhe më parë në paraburgim, pasi më 6 prill i ishte caktuar ajo masë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se prokurori i shtetit ndaj personit të dyshuar A.I., me datë 06.04.2025, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, e cila po të njëjtit i është caktuar nga gjykata kompetente”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
“Po ashtu, me datë 07.04.2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit për veprat penale ‘Dhunë në familje’, në bazë të nenit 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe ‘Kanosje’, sipas nenit 181 të KPRK-së”, kanë njoftuar nga Prokuroria.
