Një ngjarje e rëndë penale është regjistruar më 27.12.2025, rreth orës 11:30, në fshatin Duhël të komunës së Suharekës, ku një përleshje fizike ka eskaluar në përdorim të armës së zjarrit.
Sipas informacioneve të Sinjalit, pas njoftimit fillestar për konflikt fizik, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar plagosje me armë zjarri. Hetimet paraprake tregojnë se përleshja ka paraprirë të shtënat, si pasojë e të cilave i plagosur ka mbetur Armend Shukolli, ndërsa Zenel Perteshi ka pësuar lëndime nga përleshja fizike.
Në vendngjarje kanë qëndruar njësitet e hetimeve të Stacionit Policor Suharekë deri në arritjen e Sektorit të Hetimeve Rajonale, të cilët kanë marrë në dorë veprimet e mëtejme.
Pas pranimit të njoftimit, një ekip i hetimeve rajonale ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa një ekip tjetër është angazhuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Sipas burimeve nga stafi mjekësor, i dyshuari i dytë është dërguar në QKUK – Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm për shkak të lëndimeve në krahun e djathtë, por që nuk është në rrezik për jetë.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, pesë nga të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti po trajtohet si “Vrasje në tentativë” dhe “Lëndim i rëndë trupor”. Hetimet janë në vazhdim për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive penale.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

