Xhavit Haliti, kandidat për deputet me numër 14 në listën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka qëndruar sot për vizitë në Suharekë.
Haliti ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite është takuar me aktivistë dhe mbështetës të PDK-së në këtë komunë. Ai ka theksuar se bashkëbisedimi është fokusuar në projektin zgjedhor të PDK-së, të udhëhequr nga kandidati për kryeministër, Bedri Hamza.
“Si dikur gjatë ilegales, edhe sonte u mirëprita nga njerëz të mirë, punëtorë dhe aktivistë të dalluar të Suharekës. Bashkëbiseduam për projektin zgjedhor të PDK-së, të prirë nga Bedri Hamza”, ka shkruar Haliti në rrjetet sociale.
Po ashtu, ai ka bërë thirrje për mobilizim të strukturave dhe mbështetësve të PDK-së në prag të zgjedhjeve.
“U bëra thirrje që, ashtu siç u mblodhëm dikur rreth UÇK-së për liri, sot të mblidhemi rreth PDK-së për fitore, për shpresë dhe për Kosovën”, ka shkruar Haliti.

