Botërori 2026 ka sjellë një nga eliminimet më dramatike të turneut: Irani e mbylli fazën e grupeve pa humbje, por prapë mbeti jashtë fazës nokaut.
Skuadra iraniane kishte barazuar ndaj Zelandës së Re dhe Belgjikës, ndërsa ndaj Egjiptit kërkonte fitoren që do t’i siguronte kalimin tutje. Ndeshja përfundoi 1-1, por fundi ishte i dhimbshëm.
Në minutat shtesë, Irani shënoi golin që dukej se po e çonte në festë, mirëpo VAR-i e anuloi për pozicion jashtë loje. Nga festa e madhe, gjithçka u kthye në pritje të rezultateve të ndeshjeve të tjera.
Drama vazhdoi edhe në ndeshjen Algjeri-Austri. Goli i Riyad Mahrez në minutën e 93-të i dha Iranit shpresë për kualifikim, por në sekondat e fundit Austria barazoi dhe ia shoi përfundimisht ëndrrën.
Në fund, diferenca e golave vendosi renditjen dhe Irani mbeti jashtë, pavarësisht se nuk kishte humbur asnjë ndeshje në grup.
Trajneri Amir Ghalenoei u shpreh i zhgënjyer pas eliminimit dhe tha se skuadra e tij ishte përballur me vështirësi të mëdha edhe jashtë fushës, përfshirë kufizime udhëtimi dhe përgatitje të vështirësuara.
A është ky eliminimi më i padrejtë i këtij Botërori? Shkruani mendimin tuaj në Facebook.
Burimi: Telegrafi
