Botërori i luksit? Infantino nën lupë për 27 fluturime private

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është vënë në qendër të vëmendjes pas raportimeve se gjatë dy javëve të para të Botërorit 2026 ka ndjekur 24 ndeshje në qytete të ndryshme të SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës, duke përdorur shpesh udhëtime me avion privat.

Sipas të dhënave të raportuara, një avion privat i lidhur me FIFA-n dhe Infantinon ka kryer 27 fluturime gjatë turneut, ndërsa itineraret përputhen me ndeshjet ku ai është parë publikisht në stadiume.

Botërori 2026 është i shpërndarë në tri shtete dhe 16 qytete pritëse, gjë që e ka bërë logjistikën shumë më të vështirë se në turne të mëparshme. Megjithatë, përdorimi i shpeshtë i fluturimeve private po ngre pyetje, sidomos për shkak të zotimeve të FIFA-s për klimën dhe qëndrueshmërinë.

Raportimet thonë se avioni ka përshkuar dhjetëra mijëra kilometra dhe ka kaluar mbi 60 orë në ajër, ndërsa ndikimi mjedisor i këtyre udhëtimeve është krahasuar me emetimet vjetore të dhjetëra personave.

FIFA nuk ka dhënë përgjigje të detajuar për këto udhëtime, ndërsa debati pritet të vazhdojë gjatë një Botërori që, për shkak të formatit të zgjeruar dhe distancave të mëdha, po sjell edhe kosto të mëdha organizative.

A është ky luks i pranueshëm në një Botëror që flet për klimën dhe qëndrueshmërinë?

Burimi: Telegrafi

Shpërndaje:FacebookWhatsApp