Në garën për Asamblenë Komunale të Suharekës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), është edhe inxhinieri i ndërtimtarisë Albert Elshani. Me përvojë profesionale në projekte të ndryshme zhvillimore dhe me një vizion të qartë për komunën e tij, ai synon të sjellë frymë të re në vendimmarrjen lokale. Në këtë intervistë, Elshani flet për motivet e angazhimit politik, vizionin për infrastrukturën dhe prioritetet e tij për qytetin.
Suhareka Express: Kush është Albert Elshani për qytetarët që ende nuk ju njohin nga afër?
Albert Elshani: Unë jam një bir i kësaj komune, i lindur dhe i rritur në Suharekë. Jam inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë dhe veteran i luftës së UÇK-së, kam mbi dy dekada përvojë profesionale në menaxhimin e projekteve të mëdha infrastrukturore në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.
Kam marrë pjesë si inxhinier e menaxher në ndërtimin e shumë rrugëve, urave, ujësjellësve, impianteve, shkollave, çerdheve, spitaleve e objekteve të tjera publike; të financuara nga BE, NATO, BERZH, qeveria dhe donatorë të tjerë. Gjithmonë kam qenë pranë qytetarëve dhe kam parë sa shumë potencial ka Suhareka. Profesioni im më ka mësuar të punoj me plane, projekte dhe rezultate konkrete – dhe këtë qasje dua ta sjell edhe në politikë.
Suhareka Express: Duke qenë inxhinier ndërtimtarie, si e shihni zhvillimin e infrastrukturës në Suharekë?
Albert Elshani: Suhareka ka bërë disa hapa përpara, por ende jemi larg standardeve që meritojmë. Duhet të kemi rrugë cilësore, trotuare të sigurta, ndriçim publik modern dhe kanalizim të rregulluar. Më e rëndësishmja është që çdo investim të bëhet me transparencë dhe të ketë jetëgjatësi, jo vetëm të përfundojë si punë formale.
Suhareka Express: Cilat fusha e kërkojnë më shumë vëmendjen tuaj?
Albert Elshani: Katër fusha kryesore: Arsim, Rini, Shërbime dhe Infrastrukturë.
- Arsimi është themel i çdo zhvillimi, prandaj shkollat tona duhet të kenë kushte moderne dhe laboratorë bashkëkohorë.
- Rinia ka ide e energji, por shpesh mungojnë shërbimet dhe mundësitë. Duhet të investohet në aktivitete kulturore e sportive dhe hapësira ku të rinjtë mund të zhvillohen.
- Shërbime ndaj qytetarëve: Komuna duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, me administratë efikase, digjitalizim të proceseve dhe ofrim të shërbimeve të shpejta, korrekte e transparente.
- Infrastruktura: duhet të kujdesemi që të kemi projekte cilësore, që nga ideja, planifikimi, projekt i kompletuar, zbatim me materiale cilësore, mbikëqyrje në baza ditore e deri në testim dhe dorëzim për përdorim të përditshëm. Do të ndjekim tri pika kryesore: cilësi, mirëmbajtje dhe siguri në punë.
Suhareka Express: Si e shihni rolin e LDK-së në Suharekë?
Albert Elshani: LDK është partia që ka ndërtuar institucione në Kosovë dhe gjithmonë ka sjellë vizion për të ardhmen. Në Suharekë besoj se është koha për një qeverisje të ndershme dhe transparente. LDK ka njerëz profesionistë dhe me integritet, të gatshëm të punojnë për interesin e qytetarëve.
Suhareka Express: Cili është mesazhi juaj për qytetarët që do të shkojnë në votime?
Albert Elshani: Mesazhi im është i thjeshtë: mos e nënvlerësoni fuqinë e votës suaj. Me të ju vendosni për rrugën që do të ndjekë komuna jonë në vitet e ardhshme. Unë premtoj se do të jem një zë i drejtë, i hapur dhe i përkushtuar për qytetarët. Vizioni im është të ndërtojmë një Suharekë më të rregullt, më të bukur dhe më të zhvilluar – një vend ku secili prej nesh ndihet mirë të jetojë.