Suhareka Express: Z. Veselaj, ju jeni kandidat për Asamblenë Komunale në Suharekë nga radhët e LDK-së. Fillimisht, mund të na thoni kush është Gjelbrim Veselaj për ata qytetarë që ndoshta nuk ju njohin aq mirë?
Gjelbrim Veselaj: Jam arkitekt me profesion dhe një qytetar i përkushtuar i Suharekës. Prej vitesh merrem me projekte zhvillimore në fushën e urbanizmit dhe arkitekturës, duke parë për së afërmi potencialin e madh që ka komuna jonë, por edhe sfidat që e mbajnë peng. Vendosa të angazhohem politikisht për t’i kontribuar zhvillimit të qytetit tim përmes një vizioni më modern, të drejtë dhe afatgjatë.


Suhareka Express: Cili është motivi kryesor që ju shtyu të kandidoni për Asamblenë Komunale?
Gjelbrim Veselaj: Motivin kryesor ma kanë dhënë banorët e Reqanit dhe qytetarët e komunës së Suharekës. Shpeshherë, vendimmarrjet komunale nuk e kanë marrë në konsideratë planifikimin afatgjatë urban, mbrojtjen e mjedisit dhe nevojat reale të qytetarëve. Si profesionist i fushës, e shoh të domosdoshme që zëri i ekspertëve të dëgjohet në institucionet vendore. Dua të jem një zë i qytetarëve në Asamble dhe të ndikoj që zhvillimi i Suharekës të jetë i qëndrueshëm dhe në shërbim të secilit.


Suhareka Express: Ju vini nga fusha e arkitekturës dhe urbanizmit. Çfarë vizioni keni për zhvillimin urban të Suharekës?
Gjelbrim Veselaj: Suhareka ka nevojë për planifikim të qartë urban, që nuk sakrifikon hapësirat publike për interesa të ngushta. Dua të shtyjmë përpara krijimin e parqeve të reja, shesheve të hapura, parkingjeve të organizuara dhe infrastrukturës më të përshtatshme për qytetarët. Po ashtu, përfshirja e arkitektëve dhe planifikuesve urbanë në çdo projekt publik duhet të jetë e obligueshme. Një qytet i planifikuar mirë është më i shëndetshëm, më i bukur dhe më i jetueshëm.


Suhareka Express: Përveç urbanizmit, cilat janë prioritetet tuaja në fushat e tjera?
Gjelbrim Veselaj: Prioritet mbeten arsimi dhe rinia. Duhet të investojmë në shkolla më të pajisura, laboratorë bashkëkohorë dhe hapësira kulturore për të rinjtë tanë. Sporti është një tjetër fushë ku Suhareka ka traditë dhe potencial – por nevojiten investime edhe në sportet tjera e në infrastrukturë sportive. Po ashtu, bujqësia, që është shtylla e ekonomisë sonë, duhet të mbështetet më shumë me subvencione reale dhe me qasje në tregje.


Suhareka Express: Si e shihni rolin e LDK-së në qeverisjen komunale?
Gjelbrim Veselaj: LDK gjithmonë ka qenë partia që i ka dhënë vendit institucione dhe vizion për të ardhmen. Në nivel lokal, ne duam të rikthejmë besimin e qytetarëve përmes punës së ndershme, transparente dhe profesionale. Në Suharekë, LDK ka njerëz me integritet dhe profesionistë të fushave të ndryshme, të gatshëm të kontribuojnë pa kalkulime personale. Këtë e dëshmojnë edhe periudhat kur Suhareka është qeverisur nga LDK – me Ukë Bytyçin dhe më pas me Dr. Sali Asllanajn – të cilat qytetarët i kujtojnë si qeverisje të pastra dhe të përkushtuara për të mirën publike.


Suhareka Express: Çfarë mendimi keni për kandidatin për kryetar, Dr. Ardian Shala?
Gjelbrim Veselaj: Dr. Ardian Shala përfaqëson një vizion të ri dhe të guximshëm për Suharekën. Si qytetar dhe si përkrahës i zhvillimit të komunës sonë, unë e mbështes fuqishëm për kryetar. Ai ka dëshmuar integritet, profesionalizëm dhe afërsi me qytetarët, gjë që i jep besueshmëri dhe siguri për të ardhmen. Jam i bindur se me udhëheqjen e Dr. Shalës, Suhareka do të hapë një kapitull të ri të zhvillimit, transparencës dhe mirëqenies për të gjithë banorët.


Suhareka Express: Cili është mesazhi juaj për qytetarët e Suharekës që do të shkojnë në votime?
Gjelbrim Veselaj: Qytetarëve u them që ta shfrytëzojnë votën e tyre për të bërë ndryshimin. Vota nuk është vetëm për një parti apo një kandidat, por është investim në të ardhmen e familjeve tona. Unë premtoj se do të jem gjithmonë i hapur për qytetarët, do të dëgjoj dhe do të punoj me profesionalizëm e përkushtim për një Suharekë më të zhvilluar, më moderne dhe më të drejtë për të gjithë.