Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përfundimisht e ka lënë Vjosa Osmanin jashtë garës për presidente, duke e propozuar Glauk Konjufcën për këtë pozitë.
Deri më tani, presidentja aktuale nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar për këto zhvillime, mirëpo në një intervistë të dhënë para pak ditësh ajo ishte pyetur për raportet me Kurtin.
“Kemi një raport të mirë, një raport institucional dhe bashkëpunojmë për çështje në interes të Kosovës, dhe kështu do të jetë edhe më tej. Pres mbështetje nga të gjithë deputetët dhe partitë që ia duan të mirën Kosovës”, kishte thënë Osmani.
Ajo ishte shprehur se pret një mandat të dytë, por nëse vlerësohet ndryshe, “do të gjenden rrugë të tjera që t’i shërbejë shtetit”.
“Unë kam raport korrekt me shumicën dërrmuese të deputetëve, pa dallim partish. Kur kam thënë se besoj që është në të mirën e Kosovës që të vazhdojmë me punët që kemi filluar, sidomos me afrimin e vendit tonë me ndërkombëtarët… e kam thënë me vetëdije të plotë që kjo çështje është në duart e deputetëve dhe në vullnetin e tyre. I njoh shumicën prej tyre, ata më njohin mua, e kanë parë punën time; tani u takon atyre që ta vlerësojnë këtë, ashtu siç e kemi vlerësuar ne dhe populli i Kosovës se është në të mirë të vendit tonë që të vazhdohet me një mandat. Nëse e vlerësojnë ndryshe, do të gjejmë mundësi dhe rrugë të tjera që të kontribuojmë dhe t’i shërbejmë shtetit tonë. Cilado rrugë që të zgjidhet, është krejtësisht në rregull”, kishte deklaruar Osmani.

