Për të marrë terapitë jetësore, pacientët me kancer thonë se detyrohen të hyjnë në borxh për t’i blerë barnat, shteti nuk po ua siguron.
“Krejt ilaçet po duhet me i ble me pare tona, me shpenzime tona, kushtet s’janë, por po duhet me ia dal dyqysh… se dëshira e madhe për me jetu”, rrëfen Litafete Perteshani, një e diagnostikuar me kancer, teksa në oborrin e Klinikës së Onkologjisë po priste vajzën që t’ia sjellë barnat – të cilat në Klinikë thotë se mungojnë.
Sapo ajo kthehet nga barnatorja, e pyet menjëherë, me një zë të dridhur: “A kushtuan shtrenjtë barnat?”, duke nxjerrë kështu në pah përpjekjet e dhimbshme të tyre për të siguruar terapinë jetësore.
Pacientët përmendin një listë të gjatë barnash që nuk gjenden në Klinikë. Edhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK) e ka pranuar se një pjesë e konsiderueshme e tyre mungojnë, ndonëse janë në Listën Esencale të Barnave (përpos Apipretant-it).
Ata thonë se Cisplatin, Doxorubicin, Gemcitabine – kanë dështuar vazhdimisht në prokurim për mungesë ofertash; tani janë në ri-inicim. Mannitol gjithashtu ka dështuar në prokurim. Ndërsa, për Zoledronic acid-in potencuan se kontrata është ndërprerë nga operatori; lënda është ri-inicuar.
Anastrozole, sipas tyre, është në procedurë të inicimit. Apipretant dhe Cyclophosphamide – nuk posedojnë certifikatë autorizimi për marketing dhe nuk janë të regjistruara. Për Albumina, Etoposide dhe Ondansetron thonë se janë në stok.
VOX Kosova pyeti edhe Drejtorin e Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, e Ministrinë e Shëndetësisë, pse mungojnë këto barna. Kurtishi dhe Ministria ia kaluan përgjegjësinë SHSKUK-së.
Lufta me kancerin nuk zhvillohet vetëm në sallat e kimioterapisë, por edhe përtej tyre, ngase detyrohen t’i gjejnë mundësitë financiare për t’i blerë ilaçet.
Ata nuk kërkojnë mrekulli – vetëm të drejtën më elementare: sigurimin e barnave që mund t’ua shpëtojnë jetën.
“Mos me i pas këto [barnat] nuk mundesh me jetu. Vdes. Po duhet me hy në borxh, për me ble terapi, për me i dhënë vetës shpresë me jetu”, thotë Perteshani, edhe pse e brengosur, tregonte një vendosmëri të fuqishme për të luftuar.
Çdo ditë është një rrugëtim i pamëshirshëm për të: dy orë në autobus, pritje të gjata dhe para që nuk mjaftojnë.
“Unë jetoj në Prizren, po duhet me ardhë me autobus, maltretim, dy orë. Kur po vij këtu, po duhet me prit shumë. Po të kap paniku se po duhet me i ble gjilpërat, barnat vetë”, tregoi ajo.
“Shumë e vështirë është në përgjithësi”, shpjegon ajo, duke kërkuar zgjidhje nga Qeveria.
“Qeverisë i kisha bë apel, ne çka jemi me kancer, të paktën këto terapi mos me i ble se ka njerëz që nuk munden me i ble, si qifti jem. Boll kemi shpenzime të tjera”.
Perteshani nuk është e vetmja. Me të njëjtën sfidë përballen edhe persona të tjerë.
“S’po du, mama, mem pa tu kajtë…”, thotë Feime Rastavica, duke u përpjekur t’i fshehë lotët.
Nuk mund të vazhdojë të flasë. Lotët i rrjedhin dhe fjalët thjesht zhduken. Pas disa çastesh që ndalon nga dhimbja, ajo përpiqet të marrë frymë dhe të shpjegojë situatën.
“…se duhet me hy në borxh. Atë borxhin, kur ta marr rrogën, po duhet me e kthy. Po duhet me lanë shumë sene keq në shtëpi, e me i ble atëherë… të vjen keq, se e din që është e sëmurë e ka nevojë për këto”, rrëfen ajo, e përhumbur në frikë dhe pasiguri, por e bindur plotësisht thotë se nuk do t’i ndalë përpjekjet për t’i siguruar nënës së saj trajtimin e nevojshëm.
Edhe pse në vështirësi për vete, ajo brengoset për ata që janë në gjendje të rëndë ekonomike.
“E ai që është i varfër, nuk ka mundësi, nuk mundet me u shëru? Çka me ba ata që s’kanë kurrgjë hiç pas shpirtit”.
Nga përjetimet e shumta dukej sikur po ngulfatej. Në ndërkohë shprehte edhe një revoltë ndaj atyre që janë përgjegjës për të siguruar medikamentet – institucioneve të shtetit.
“Qeverisë, shtetit i kisha thënë: kryeni punën e juaj. Ju keni nevojë për votat tona, na po ju votojmë, pse nuk po e kryeni punën e juaj? A veç me i mrri karrigat a?”, tha ajo.
Fadil Zogianit mezi i dilnin fjalët teksa tentonte të tregonte vështirësitë që kjo sëmundje sjell edhe te familjarët.
“80 euro java, 100 euro është shumë e papërballueshme për një person që është me një rrogë. Po mundohemi me ia dal qysh të mundemi që ai [vëllai i tij] mos me u ndje keq”, tregon Zogiani.
Ai shpreson që shteti t’i dëgjojë e mundësojë sigurimin e barnave.
“Kjo është shumë e rëndë, normal këto duhet me i siguru shteti, bile qeto kimioterapitë. Vështirë është boll, po çka me ba, duhet me ia dal”, potencoi ai.
Edhe disa të tjerë e pohojnë mungesën dhe koston e lartë të barnave.Fatura të barnave të blera nga pacientët e diagnostikuar me kancer.

“Terapinë që e ka marr, emri i ilaçit është Gemzar, është dashtë me e ble, ka kushtu 150 euro. Për një periudhë shumë të gjatë, e kemi ble se është dashtë çdo javë, diku 1 mijë euro e diçka i kemi shpenzu për këtë”, ka thënë personi me inicialet E.O.
“Për momentin s’ka Zometa, merret për eshtra, sot e kam ble”.
“Ka shumë pacientë që s’i kanë mundësitë, është shumë e vështirë se ne jetojmë në Kosovë edhe e dimë sa është kapaciteti këtu”.
Situata e njëjtë është edhe për Salih Eminin.
“Hera e gjashtë që paguaj, 98 euro, mjerë ata që s’kanë”, thotë ai.
Këso rrëfimesh janë të panumërta në Klinikën e Onkologjisë. Thirrja e tyre është e njëjtë: Qeveria të na i sigurojë barnat./voxkosova.com