Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka kërkuar shtyrjen e konventës së partisë për zgjedhjen e kryetarit, e cila ishte caktuar të mbahet të hënën e javës së ardhshme.
Hoxhaj ka thënë se “një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtjesore në një kohë kaq të shkurtër” dhe ka kërkuar që ajo të shtyhet të paktën deri të dielën e ardhshme.
“Kështu do u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë dhe për çështje serioze që prekin vendin. Kjo do ta rriste cilësinë e kandidaturave dhe konkurrencën ndërmjet platformave, pasi zhvillimet e fundit kanë qenë të befasishme”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Ai shtoi se nguti nuk garanton garë cilësore, e as reformim dhe unitet të domosdoshëm për PDK-në, duke deklaruar se është “kundër çdo imponimi, kundër çdo tentative për të orientuar garën dhe kundër çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët”.
Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar për këtë kërkesë. Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se Konventa e Jashtëzakonshme është thirrur në bazë të nenit 35 të Statutit të partisë.
“Në mbledhjen e fundit të Kryesisë, pas dorëheqjes së Kryetarit Memli Krasniqi, Kryesia vendosi të thërrasë Konventën e Jashtëzakonshme, e cila, bazuar në nenin 35 të Statutit të Partisë, duhet të mbahet brenda pesë ditësh. Ne e inkurajojmë dhe e mirëpresim garën e brendshme. Çdo anëtar apo anëtare që i plotëson kriteret e përcaktuara me Statut është i mirëseardhur të kandidojë. Gara do ta bënte Konventën edhe më madhështore.”, tha ajo për Sinjalin.
Çitaku shtoi se “është thelbësore që në përfundim të këtij procesi të dalim të unifikuar, me vizion të qartë dhe me platformë të fortë për zgjedhjet e përgjithshme që na presin shumë shpejt.”
“Më e rëndësishme se gara e brendshme është fitorja jonë në zgjedhjet parlamentare. Sepse beteja kryesore politike për secilin prej nesh është ajo se kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës.”, deklaroi ajo tutje.
Kujtojmë se deputeti Memli Krasniqi dha dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së para dy ditësh.
Më shumë lajme
Nga kategori të ndryshme
Lajme
Policia jep detaje për tragjedinë në Shëngjin: Dy pushues nga Kosova humbën jetën, tre po marrin trajtim mjekësor
Politike
Këto ishin rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Komunën e Suharekës
Ekonomi
Shahini kritikon kufizimin e ATK-së për pagesat kesh mbi dy mijë euro: tregon kush goditet më shumë
Politike
Blerim Kuçi prezanton platformën e tij politike, fton qytetarët të njihen me vizionin e tij
Politike
Abdixhiku nga Rahoveci: LDK po vjen me projekte, jo me propagandë
Politike
Bedri Hamza: Gratë janë forca e ndryshimit

