Suhareka Express është portal informativ në gjuhën shqipe, i fokusuar në lajme lokale nga Suhareka dhe rajoni, si dhe zhvillime të rëndësishme nga Kosova dhe më gjerë...

Në Suhareka Express, lexuesit gjejnë lajme nga politika lokale dhe kombëtare, ekonomia, shëndetësia, arsimi, sporti, kultura dhe showbizi...

Portali Suhareka Express shërben si burim informimi për qytetarët e Suharekës, mërgatën shqiptare dhe të gjithë ata që janë të interesuar për zhvillimet aktuale në Kosovë...

Kongresi i Manastirit, 14 nëntor 1908, kur shqiptarët vendosën të hedhin themelet e kombit me alfabetin shqip

Nga Albert Vataj

Më 14 nëntor 1908, në Manastir, nisi punimet një nga ngjarjet më thelbësore të historisë sonë moderne, Kongresi i Alfabetit, trungu prej nga do të ngjizej gjuhësia e njësuar, kultura e përbashkët dhe, në mënyrë të tërthortë, vetë shteti shqiptar. Pa të, 28 Nëntori 1912 do të ishte një ditë më e largët, më e zbehtë, më e brishtë.

Kongresi i Manastirit nuk qe thjesht një mbledhje; ishte një betejë e madhe mendimesh, një ndeshje e ashpër mes ideve, besimeve, interesave, dhe vizioneve të ndryshme për Shqipërinë e ardhshme. Në atë dhomë të Manastirit u përplasën shekujt: Perëndimi me Lindjen, tradita me modernitetin, politika e ditës me identitetin e përjetshëm. Dhe nga kjo përplasje doli një fitore e qartë: shqipja duhej të shkruhej si një gjuhë e lirë, e qytetëruar dhe e njësuar, jo sipas tekave të oborreve të huaja, por sipas nevojës së kombit.

Në ditët e nxehta të atij nëntori, u lëkundën nerva e u tundën tavolina. Katër vilajetet shqiptare, diaspora, shoqëritë patriotike, klerikët e tri besimeve, rilindasit dhe veprimtarët e shtypit, të tërë mbërritën me pasionet dhe frikërat e tyre. Nga Bukureshti, Sofja, Bostoni e Siçilia, deri nga Shkodra, Korça, Gjirokastra e Kosova, të gjithë vinin me një qëllim: të vendosnin alfabetin shqiptar dhe me të, fatin e Shqipërisë.

Deri atëherë qarkullonin disa alfabete. Më i përhapuri ishte Alfabeti i Stambollit, i përgatitur nga rilindasit në kryeqytetin osman. Por mendimi i përgjithshëm ishte se shkronjat jo-latine pengonin unifikimin e kombit dhe nuk i shërbenin të ardhmes europiane të shqiptarëve. Prandaj shoqëria kulturoro-letrare “Bashkimi” mori nismën e thirrjes së Kongresit, që u drejtua nga një figurë përbashkuese: At Gjergj Fishta, i cili kryesoi komisionin e hartimit të alfabetit, ku përfshiheshin përfaqësues myslimanë, ortodoksë dhe katolikë – një pamje që dëshmonte qartazi shumëllojshmërinë dhe unitetin shpirtëror të shqiptarëve.

Takimi i fshehtë dhe vizioni i madh për arsimin shqiptar

Historia na ka lënë edhe një episod domethënës: një takim i fshehtë ndër delegatë, ku Shahin Kolonja propozoi një platformë të guximshme për t’u paraqitur në parlamentin osman. Aty parashikohej:

Mësimi nëpër shkolla të zhvillohej vetëm në gjuhën shqipe,

Turqishtja të hynte vetëm pas klasës së katërt,

Hapja e shkollave të larta shqiptare,

Dërgimi i studentëve shqiptarë në Europë e SHBA me bursa shtetërore,

Pagesa nga shteti osman e klerikëve katolikë e ortodoksë për të shmangur ndikimet e huaja.

Ishte një projekt vizionar, që tejkalonte kufijtë e kohës së vet. Nuk u paraqit kurrë zyrtarisht, por ai mbeti si një amanet i pashkruar i rilindasve: arsim, gjuhë, kulturë – themelet e një kombi të lirë.

Fitorja më e madhe shqiptare pa shtet

Në vetëm disa ditë, një popull i ndarë në vilajete, fe, klasa dhe dialekte, arriti të marrë një vendim që sot do të kërkonte vite negociata: miratimin e një alfabeti të përbashkët. Kjo mrekulli e Manastirit dëshmon se, edhe pa shtet, shqiptarët gjetën forcë të bashkohen për gjuhën e tyre.

Kongresi u mbyll më 22 nëntor 1908 me një vendim historik: përdorimin e gërmave latine, përmes një alfabeti të thjeshtë, të qartë dhe të përdorshëm, që do të hapte epokën moderne të letërsisë, arsimit dhe kulturës shqiptare.

Përtej një shekulli: Pse Manastiri mbetet aktual?

Sot, kur globalizimi shpesh i zhvesh gjuhët e vogla nga identiteti, Kongresi i Manastirit na flet më fuqishëm se kurrë:

se gjuha është atdheu i parë,

se kultura nuk mbijeton pa përpjekje,

se identiteti është zgjedhje, jo rastësi,

se bashkimi nuk ndodh vetiu, por kërkon vullnet, sakrificë dhe dije.

Shumëçka në historinë tonë ka qenë e trazuar, shpesh e hidhur, por alfabeti është triumfi ynë i qetë, i palëkundur, i pakthyeshëm. Ai është certifikata e lindjes së Shqipërisë moderne.

Falë atyre burrave të Manastirit – rilindas, klerikë, intelektualë, gazetarë, patriotë e vizionarë – sot ne kemi një gjuhë të përbashkët, një kulturë të shkruar, një traditë që vazhdon e jep fryt.

Pa alfabetin e Manastirit, nuk do të kishte shtet shqiptar, nuk do të kishte shkollë shqipe, nuk do të kishte letërsi shqipe, dhe ndoshta as vetëdije shqiptare. E gjithë kjo lindi në ato ditë të ftohta të nëntorit 1908.

Me te Lexuara

Ndiqni rezultatin live për Asamblenë — për çdo kandidat

Në këtë faqe mund të shikoni rezultatet në kohë...

E rëndë së më s’ka, mërgimtari vdes në moshë të re, u martua të dielën, vdiq të shtunen

Pas një sëmundjeje të shkurtër, ka ndërruar jetë në...

Qeveria habit pensionistët – ja shuma e re që i pret sot në llogari!

Pensionistët e Kosovës nga sot do t’i marrin pensionet...

Lirim Mehmetaj, tregon kush do të fitoj në Suharekë

Analisti politik Lirim Mehmetaj ka dhënë mendimin e tij...

Te Tjera

Kategorite me te Lexuara