Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, një person i kërkuar nga organet e rendit është dorëzuar në polici për të vuajtur dënimin me burg të shqiptuar nga gjykata.
Policia ka bërë të ditur se më 9 mars 2026, pas një pune intensive të njësitit policor të urdhëresave në Stacionin Policor të Prizrenit, është realizuar urdhër-arresti ndaj të dënuarit M.V., 56 vjeçar nga Samadraxha e Suharekës, me banim në Prizren.
Pas një periudhe kërkimesh për arrestimin e tij, i dënuari është vetëdorëzuar në polici, nga ku më pas është shoqëruar dhe dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali – Prishtinë, për vuajtjen e dënimit.
Sipas policisë, ai ishte në kërkim dhe ishte i dënuar gjithsej me 5 vite e 500 ditë burg efektiv, sipas disa vendimeve të plotfuqishme të Gjykatës Themelore në Prizren, ku në dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
I dënuari është shpallur fajtor për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

