Mandatari i dytë për formimin e Qeverisë, Glauk Konjufca, ende nuk i ka të sigurta tri nga dhjetë votat e deputetëve të minoriteteve jo shumcië. Veton Berisha, deputet i Partisë Liberale Egjiptiane, deputetja boshnjake, Duda Bale dhe ai nga komuniteti goran, Adem Hoxha nuk e patën votuar as mandatarin e parë, Albin Kurti pasi nuk kishin arritur një marrëveshje paraprake dhe pa plotësimin e kërkesave të tyre. Ndërkohë, deputeti nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, në një përgjigje për rtv21, tha se është i gatshëm për takim me Glauk Konjufcën, por përsëriti se për ta marrë votën e tij, duhet marrëveshje paraprake.
‘’Besoj se qëndrimin tim e dini se nuk jam pengues. Nuk më ka kontaktuar ende. Nëse më kontojnë jam i gatshëm për takim, do të flasim dhe mandej e shohim se di do të veprojmë. Unë nuk kam vija të kuqe për askend. Nuk kam probleme me askënd në parime, por normalisht se nëse pajtohemi paraprakisht shkojmë në bashkëqeverisje, nëse jo, jemi në rregull”, tha ai.
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, në një intervistë për Rtv21, tha se seanca për formimin e Qeverisë duhet të thirret brenda afatit 15 ditor kushtetues, nga data 5 nëntor kur ishte mandatuar Glauk Konjufca nga presidentja Osmani e deri më 19 nëntor. Sipas tij, mandatari duhet të dalë para deputetëve për të kërkuar votën e tyre për formimin e kabinetit qeveritar. Por, në rast se dështon edhe mandatari i dytë, Bugaqku, duke u thirrur në Kushtetutë thotë se presidentja duhet brenda 40 ditëve të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
‘’Sipas Kushtetutës dhe disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është sqaruar se nëse dështohet në raundin e parë për formimin e Qeverisë atëherë presidenti i shtetit ka kompentencë që të caktojë një mandatar tjetër i cili sipas procedurës së njëjtë duhet që brenda 15 ditësh nga dita e nominimit që të dal para Kuvendit dhe të këkrojë votëbesimin për kabinetin e tij qeveritar. Ky afat rrjedhë nga momenti kur presidentja Osmani ka dekretuar Glauk Konjufcën mandatar tjetër për formimin e Qeverisë. Nga data 5 e deri më 19 nëntor Kuvendi i Kosovës ka kohë të mblidhet”, tha Bugaqku
Bugaqu sqaron se presidentja Osmani veproi në bazë të kompetencave kushtetuese me rasin e mandatarit të dytë.
‘’Kushtetuta e nenin 95 urdhëron presidenten që ta mandatojë një kandidat tjetër. Është dispozitë urdhërore. Nuk ka kritere në kushtetutë të cilat duhet t’i vlerësojë presidentja në rastin e caktimit të mandatarit tjetër”, shtoi ai.
Analistja politike, Arta Tahiri, vlerëson se partitë politike parlamentare duhet që reflektojnë për të tejkaluar ngërçin për formimin e institucioneve. Por, duke iu referuar edhe deklarimeve të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, ajo thotë se teorikisht është e pamundur që të sigurohen 61 vota për formimin e Qeverisë së re.
‘’Teorikisht zoti Kurti deklaroi se pothuajse është e pamundur të bëhen 61 vota për të kaluar edhe mandatari i dytë nga LVV-ja, Glauk Konjufca, por sido që të jetë sfidat mbesin nëse do të ketë ndonjë reflektim nga ish-opozita, apo deputet të caktuar në mënyrë që të kalohet ky ngërç i jashtëzkonshëm politik institucional. Kosova nuk e ka merituar që të gjendet në një situatë të tillë. Por, mos ndërgjegjja politike e përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Kosovës ka treguar se jemi në një situatë e cila më shumë kërkon dalje nga ky ngërc sesa të krijohet një ngërc tjetër, nëse mandatari i dytë Glauk Konjufca do të siguronte 61 vota”, tha Tahiri
Në seancën e 26 tetorit mandatari i parë, Albin Kurti, arriti t’i sigurojë 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime. Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmanip mandataoi kandidatin e dytë nga LVV-ja, Glauk Konjufcën, për zgjedhjen e të cilit nga LVV-kanë shprehur besimin se brenda 15 ditësh të afatit kushtetues mandatari i ri do të arrijë t’i sigurojë 61 vota të nevojshme.
Deri më tash zyrtarisht të gjitha subjektet politike parlamentare shqiptare: PDK, LDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate kanë thënë se nuk kanë votë për Glauk Konjufcën, me arsyetimin se mandatari nuk trashëgohet në mungesë të numrave të nëvojshëm./RTV21/21Media
