Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për një incident i rëndë me armë zjarri që ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Prizren. Rreth orës 23:15, gjatë patrullimit në rrugën Ismail Kryeziu (përballë restorantit “Te Sara”), policia ka dëgjuar të shtëna dhe ka lokalizuar menjëherë një person të plagosur.
Siç mëson Sinjali, viktima, Gjon Shala, rreth 28 vjeçar, është gjetur i plagosur në të dy këmbët. Ekipi i emergjencës ka intervenuar në vend dhe e ka transportuar në spitalin e Prizrenit, ku sipas informacioneve të para ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Por, Sinjali edhe kohë më parë pati raportuar për një rrahje që ka ndodhur në qershor të 2024-tës në Prizren që pasoi me kërcënime mes palëve të përfshira.
Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht se dy të dyshuarit janë Gjon Shala dhe Ardit Krasniqi – ky i fundit ishte i njohur si Qorri.
Por si pati ndodhur rasti?
Fillimisht, Sinjali mësoi se Ardit Krasniqi dyshohet se ishte kapur me vëllain e të dyshuarit Gjon Shala, i moshës së mitur, në pishinën e tij “Suntea” që e menaxhon në Prizren.
Në shenjë revolte, Shala dyshohet se një ditë më pas ishte takuar me vëllain e Ardit Krasniqit dhe të njëjtin e ka sulmuar fizikisht.
Rrahja e vëllait të Arditit, e shtyri këtë të fundit që të kërkojë llogari, duke e kërcënuar seriozisht Gjon Shalën në rrjete sociale, se do ta pësojë keq dhe do të hakmerret.
Rastet që e pasuan njëra tjëtrën rezultuan me nisjen e hetimeve dhe sigurimin e provave për përfshirjen e personave të dyshuar.
Burimet e Sinjalit patën thënë se palët e dyshuara fillimisht janë liruar në procedura të rregullt, por një ditë më pas përfunduan në pranga.
Ndalimi i tyre erdhi pas bastisjeve që u kryen nga Policia, në koordinim me Prokurorinë, me ç’rast të dyshuarit Ardit Krasniqi iu sekuestrua arma që e posedonte me leje.
Shala përfundoi në paraburgim, ndërsa Krasniqi në arrest shtëpiak.
Pas konfliktit që u përfshinë të dyshuarit, Sinjali mësoi se dy familjet janë pajtuar dhe raportet nuk janë acaruar më tutje.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

